Secondary Adv

Ndërtimi në evazion: Pastrim parash, nuk deklarohen çmimet reale të shitjes së pronave

Administrata Tatimore ka nisur kontrolle të thelluara në sektorin e ndërtimit, pas evidentimit të një sërë praktikash abuzive që lidhen me evazion fiskal, pastrim parash, shitje pronash nën vlerën reale dhe nëndeklarim të pagave të punonjësve.

Nisja e kontrolleve në terren pas fushatës informuese

Pas një fushate informuese që nisi në mesin e muajit dhjetor të vitit të kaluar, përmes njoftimeve të dërguara kompanive të ndërtimit nëpërmjet sistemit e-Filing dhe që zgjati 30 ditë, Administrata Tatimore ka nisur zyrtarisht kontrollet në terren duke filluar nga data 16 janar 2026.

Gjatë ditëve të para të aksionit, janë ushtruar kontrolle edhe në 9 agjenci imobiliare ndër më të mëdhatë në vend, ku janë konstatuar shkelje të shumta, përfshirë evazion në çmimet e shitjes së apartamenteve dhe nëndeklarim të pagave të punonjësve.

 

Në kuadër të këtyre kontrolleve, tatimet kanë sekuestruar edhe pajisje kompjuterike, të cilat do të shërbejnë si prova materiale për dokumentimin e shkeljeve dhe referimin e tyre në organet e prokurorisë.

 

Ndërtimi, sektor me risk të lartë sipas Tatimeve

Sipas Administratës Tatimore, sektori i ndërtimit rezulton me risk të lartë fiskal dhe penal, si pasojë e përdorimit të gjerë të parasë cash, mungesës së transparencës në transaksione dhe fryrjes artificiale të kostove.

Këto problematika janë pasqyruar në dokumentin zyrtar “Plani i menaxhimit të riskut për sektorin e ndërtimit (informaliteti dhe pagat referencë)”, i hartuar nga Drejtoria e Menaxhimit të Riskut pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

 

Dokumenti evidenton praktika të tilla si deklarimi i shitjes së apartamenteve me çmime nën nivelin real të tregut dhe poshtë çmimeve të referencës, shitje të kryera në cash pa faturë tatimore, veçanërisht në fazat e hershme të ndërtimit, si dhe parapagime informale pa dokumentim fiskal.

 

Nëndeklarim pagash dhe punësim informal

Një tjetër problematikë e theksuar është nëndeklarimi i kostove të punës. Sipas tatimeve, numri i punonjësve të deklaruar nuk përputhet me volumin real të punimeve në shumë projekte ndërtimi, ndërsa pagat e raportuara janë dukshëm më të ulëta se niveli mesatar i tregut për profesionet e këtij sektori.

 

Administrata Tatimore vëren gjithashtu përdorimin e punëtorëve të përkohshëm ose të padeklaruar, sidomos gjatë fazave intensive të punimeve, çka cenon të drejtat e punonjësve dhe ul kontributet në skemat e sigurimeve shoqërore.

 

Furnitorë fiktivë dhe fryrje e kostove

Kontrollet kanë zbuluar raste të përdorimit të furnitorëve fiktivë dhe faturave të rreme, përmes të cilave kompanitë rrisin artificialisht kostot, duke ulur fitimin e tatueshëm dhe detyrimet për TVSH.

Sipas dokumentit të tatimeve, këta furnitorë shpesh janë subjekte pa aktivitet real, pa staf ose me histori mospagesash, të përdorur vetëm për të justifikuar shpenzime fiktive.

 

Mospërputhje mes lejeve të ndërtimit dhe deklarimeve

Një tjetër element problematik lidhet me mospërputhjet midis lejeve të ndërtimit dhe deklarimeve tatimore. Tatimet kanë evidentuar raste ku sipërfaqet e deklaruara për qëllime tatimore janë më të vogla se ato të miratuara në lejet e ndërtimit ose të regjistruara në kadastra.

Po ashtu, janë konstatuar projekte të përfunduara fizikisht, por me deklarime të vonuara ose të pjesshme të të ardhurave nga shitja e apartamenteve.

 

Risk i lartë për pastrim parash

Për shkak të volumit të lartë të transaksioneve cash dhe vështirësisë në përcaktimin e kostos reale të ndërtimit, sektori i ndërtimit shfaqet shpesh në raportet për pastrim parash si një sektor i favorizuar për fshehjen dhe riciklimin e kapitaleve me origjinë të dyshimtë.

Administrata Tatimore thekson se moslëshimi i faturës tatimore për çdo shitje apartamenti, ndërtese apo pasurie të paluajtshme, si dhe për çdo paradhënie të arkëtuar para shitjes përfundimtare, përbën shkelje të rëndë të ligjit tatimor.

 

Fokusi i aksionit tatimor

Sipas planit të miratuar, aksioni i tatimeve do të përqendrohet në kontrollin e tatimit të mbajtur në burim për pagesat ndaj jorezidentëve, qiratë dhe shërbimet profesionale, si dhe në verifikimin e tatimit mbi fitimin për të evidentuar manipulime të fitimit të tatueshëm dhe shpenzime të pajustifikuara.

 

Kontrollet do të përfshijnë gjithashtu krahasimin e TVSH-së së zbritur me vëllimin real të punimeve dhe sipërfaqet e lejuara në lejet e ndërtimit, analizën e marzheve të fitimit në raport me mesataret e sektorit dhe çmimet e referencës, si dhe verifikimin e pasurive dhe rezervave të padeklaruara.

Administrata Tatimore synon që përmes këtij aksioni të rrisë transparencën, të formalizojë sektorin e ndërtimit dhe të forcojë respektimin e ligjit tatimor nga të gjitha subjektet që operojnë në këtë treg.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat